
Ndërkohë që në shumë vende të botës po merren masa ekstreme për të luftuar koronavirusin, duke mbyllur shkolla, dyqane, muze, palestra dhe mos lejuar njerëzit të mblidhen në grupime, autoritetet në Kosovë kanë vendosur t’i sfidojnë të gjithë.
Kjo gjë u vu re dhe në konferencën e fundit të jashtëzakonshme të kryeministrit Kurti ku njoftoi dy rastet e para me Covid-19 në vend dhe gazetarët më shumë e pyesnin kreu e qeverisë si shkoi takimi me Thaçin sesa për virusin vdekjeprurës që iu ka marrë jetën mbi 5000 personave në të gjithë botën.
Përveç kësaj një tjetër lajm vjen nga Kosova, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të mbajë zgjedhjet lokale në Podujevë, të parashikuara për ditën e nesërme.
Në një konferencë për shtyp, kryetarja e KQZ, Daka njoftoi se ka kontaktuar me institucionet e tjera në vend dhe gjithçka do të vijojë sipas parashikimeve me procesin e votimit në Podujevë.
“Përveç fletëvotimeve dhe mjeteve të nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve, janë marrë edhe masa shtesë me dezinfektues dhe mjete të tjera mbrojtëse”, u shpreh Valdete Daka.
Vendime të tilla janë disi të çuditshme për t’u menduar duke parë që autoritetet më të larta shëndetësore në botë përfshirë këtu OBSH bëjnë thirrje për shmangien e kontakteve të afërta mes njerëzve për të parandaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës. (A2 Televizion)