
Kosova është një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Europës. Gati një vit pasi paraqiti kërkesën për t’iu bashkuar organizmit të rëndësishëm, Komiteti Ministror që përfaqëson 46 shtetet anëtare vendosi të miratoi kërkesën me më shumë se 2/3 e votave. 33 shtete votuan pro, 7 kundër dhe 5 abstenim.
Kërkesa tani i kalon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të diskutojë mbështetur në analizat dhe vlerësimet e raportuesve të Këshillit të Evropës, para se ta hedhë kërkesën për votim në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e cilësoi këtë si një hap historik e ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani tha se flamuri i Kosovës do të valvisë së shpejti me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Europës.
Në një prononcim për Kosova Press, zv/ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, është optimist se Kosova shumë shpejt do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pas kalimit të fazës së parë për anëtarësim në KiE.
Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare. Nëse edhe në Asamblenë Parlamentare kërkesa do të mbështetet me 2/3 e votave, atëherë do t’i rekomandohet Komitetit të Ministrave që të ftojnë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit.
Avancimi i kërkesës vlerësohet si një prej arritjeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse Presidenti Aleksandër Vuçiç ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjen për normalizim të raporteve. (A2 Televizion)