Osmani: Votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së moment i rëndësishëm për Evropën

Nga A2 CNN
24 Prill 2023, 16:23 | Kosova
Osmani: Votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së moment i

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se votimi i sotëm në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës për të përparuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Europës drejt Asamblesë Parlamentare, nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për gjithë kontinentin.

Osmani në një deklaratë të lëshuar për media, ka thënë se ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.

“Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për aleatët tanë ndërkombëtar, presidencën islandeze të Këshillit të Europës dhe për të gjitha shtetet që na mbështetën me votën e tyre. Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses. Ne jemi të përkushtuar për t'i përmbushur standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kemi besim se aplikimi ynë do të vlerësohet në bazë të të arriturave tona në këto fusha. Aspiratat tona euroatlantike janë të qarta dhe vendosmëria e popullit të Kosovës është më e fortë se kurrë. Viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, ndaj anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është dëshmi e mëtejme e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave që përfaqëson ky institucion”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, hapat e ardhshëm janë një mundësi për Evropën për ta shfaqur angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend, në të gjithë kontinentin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos