
Studiuesi Afrim Krasniqi, në një lidhje direkte me studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se “është zhvillim pozitiv që Partia Demokratike po i kthehet strukturave”, por shtoi se “në rrugën që ka nisur, po i bën dëm vetes”.
“Një parti serioze do të duhej që të gjithë debatin ta kishte bërë në struktura. Zhvillimet e ditëve të fundit po çojnë drejt një përçarjeje të partisë, jo bashkim. Asnjë palë nuk ka projekt bashkimi dhe secila palë e konsideron veten pronare të Partisë Demokratike. Koncepti i pronësisë është në thelb antidemokratik. Është tregues edhe që fryma personale dhe militante dominon mbi frymën e moderuar dhe argumentet”, deklaroi Krasniqi.
“Thirrjet për revolucion, pro SHBA-së dhe legjitimitet strukturash nuk kanë asnjë vlerë, janë konsum ditor. PD-ja duhet të mësojë se në rrugën që ka nisur i bën dëm vetë Partisë Demokratike”, shtoi Krasniqi. (A2 Televizion)