Është mbyllur sot fushata zgjedhore në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama zgjodhi ta mbyllë edhe këtë herë në Vlorë, në qarkun ku sërish kandidon edhe vetë, ndërsa lëshoi akuza ndaj presidentit Meta. Kurse kreu demokrat Lulzim Basha e mbylli fushatën në Tiranë, duke përcjellë mesazhin e fitores së opozitës. I gjithë rrugëtimi një mujor i kësaj fushate zgjedhore është komentuar në studion e A2 CNN me analistët Afrim Krasniqi, Gjergji Vurmo, Lutfi Dervishi dhe Blendi Salaj.
Në këndvështrimin e analistit Krasniqi, kryeministri Edi Rama i dha personalizim ekstrem fushatës duke e bërë atë inaktive. Sipas tij më shumë kishte karrige se debat elektoral për të bindur votuesit.
“Simbolika e mitingjeve dhe mesazheve personale. Rama do të behet lideri i parë politk pas Nantos në vitin 2005, që reklamon familjen dhe sot e bëri këtë duke reklamuar djalin e parë dhe të dytë, duke i dhënë personalizm ekstrem fushatës së tij dhe ky personalizim i pamundësoi PS një fushatë aktive. Ne më shumë kemi 10-15 mijë karrige se debat elektoral dhe përpjekje për të bindur elektoratin që ka platformë më të mirë se opozita”.
Kurse mesazhet e opozitës, sipas Krasniqit ishin ato të nevojës për normalitet dhe thirrja ndaj administratës publike.
“Mesazhi i opozitës ishte nevoja për normalitet dhe administratës publike”.
Sipas Krasniqit është e tepërt që këto mitingje zhvillohen në kohë kovidi dhe e padrejtë që punonjësit e gardës përfshihen në fushatë.
“Është e tepërt që këto mitingjet në kohë kovidi dhe Shqipërisë së varfër. Shqipëria kaloi një muaj me energji dhe fjalor rruge në komunikim, duke parë mungesë të theksuar shteti dhe standardeve të tij në funksionim. Nuk ka punë garda në mitingun e një partie. Partitë i organizojnë vetë. Fakti që futen efektivë duket sikur është shteti në fushatë”. (A2 Televizion)