Kryeministri Edi Rama i premtoi durrsakëve që kanë humbur banesat nga tërmeti që apartamentet e tyre të reja do të jenë më të bukurat në qytet.
“Do të keni jo vetëm apartamentin, por edhe një lagje si në Evropë, me kopshte, shkolla, parqe dhe vende parkimi. E di që kjo do kohë dhe punë, por ne nuk kemi lënë askënd rrugëve dhe në çadër. Ata që rrinë në çadër duan vetë të qëndrojnë aty, pasi e marrin bonusin e qirasë muaj për muaj. Banesat e reja do të jenë apartamentet më të bukura të Durrësit”, tha Rama.
Kreu i PS-së ironizoi edhe kryedemokratin Lulzim Basha, për të cilin tha se “ka premtuar t’i japë të gjithëve atë që nuk e ka, që nuk ka se si ta ketë”.
“Ai thotë, “ta marr njëherë votën e këtyre unë se pastaj i çoj te tramvaji i Tironës”. Thotë që kreditë do i paguajë qeveria, që do t’ia rrisë të gjithëve rrogën duke ulur sigurimet shoqërore, por ndërkohë që do të rrisë edhe pensionet. Si mund të bëhet kjo? Pensionet paguhen nga sigurimet shoqërore. Luli nuk ka faj, se shqiptarët e kanë ngrënë sapunin për djathë jo vetëm një herë. Por, në 25 Prill nuk ka shans që ky popull të hajë sapunin për djathë dhe të kthehet mbrapa”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)