Kremlini: Bombardimi i Jugosllavisë shkatërroi themelet e rendit botëror, pasojat po i vuajmë edhe sot

Nga A2 CNN
25 Mars 2022, 15:38 | Bota
Kremlini: Bombardimi i Jugosllavisë shkatërroi themelet e rendit

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov tha se bombardimi i Jugosllavisë 23 vite më parë vuri themelet e një rendi të ri botëror, që nisi gërryerjen e planetit.

“Ato bomba, përveçse vranë civilë, shënuan edhe nisjen e shkatërrimit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Pikërisht në atë kohë, NATO - dhe kur themi NATO nënkuptojmë “amerikanët” - nisën të bombardonin themelet e rendit botëror. Atëherë nisi gërryerja e themeleve të rendit botëror, që solli krizën e sigurisë në Europë, të cilën po e përjetojmë edhe sot”, citohet Peskov nga agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Ai vuri në dukje se kriza ka përfshirë kryesisht shtetet europiane që kanë shfaqur tendenca jomiqësore ndaj Moskës: “Amerikanët, të cilët nisën gjithë këtë, vuajnë shumë më pak nga kriza, këtë duhet ta kuptojmë mirë”.

I pyetur se kur do të shihet “drita në fund të tunelit”, sa i përket krizës në Ukrainë, Peskov tha: “Çdo tunel përfundon me dritë”.

Sulmet e NATO-s në vitin 1999 i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë dhe hapën rrugën për pavarësinë e shtetit më të ri të Europës. Rusia e ka përdorur shpesh pavarësinë e Kosovës si “njësi matëse” për veprimet e saj, siç ishte aneksimi i Krimesë në vitin 2014. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos