Kremtohet e diela e palmës. Papa Françesku hap javën e shenjtë mes koronavirusit

Nga A2 CNN
5 Prill 2020, 19:27 | Bota
Kremtohet e diela e palmës. Papa Françesku hap javën e

Papa Françesku kremtoi të dielën e palmës në një situatë surreale, me Bazilikën e Shën Pjetrit të boshatisur.

Ati i Shenjtë i bëri apel njerëzve që të mos shqetësohen vetëm për mungesat që kanë, por të mendojnë se si mund t’ua lehtësojnë dhimbjen të tjerëve: “Tragjedia që po përjetojmë në këto ditë, na thërret që të marrim seriozisht ato gjëra që janë serioze dhe të mos merremi me ato që kanë më pak rëndësi, të rizbulojmë se jeta nuk ka dobi nëse nuk përdoret për t’u shërbyer të tjerëve”.

Shërbesa që hapi zyrtarisht eventet për Javën e Shenjtë që mbahen përpara festës së Pashkëve, zakonisht tërheq dhjetëra mijëra besimtarë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Këtë herë, u mbajt në një altar dytësor dhe ishin të pranishëm vetëm disa ndihmës, priftërinj, murgesha dhe një kor, të gjithë duke respektuar distancimin social.

Kremtimi solemn u transmetua drejtpërdrejt në platformat në internet dhe u ndoq nga miliona besimtarë katolikë nga e gjithë bota. Papa Françesku më pas iu drejtua veçanërisht të rinjve: “Shikoni heronjtë e vërtetë, të cilët në këto ditë po dalin në dritë. Nuk janë ata që kanë famë, para dhe sukses, por ata që vetësakrifikohen për t’u shërbyer të tjerëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos