
Katolikët në të gjithë botën kremtojnë të “Premten e Mirë” në një situatë mjaft surreale ku rreth gjysma e popullatës është në izolim.
Në një ceremoni në Jeruzalem, ku mbizotëronte heshtja dhe qetësia për shkak të mungesës së besimtarëve, administratori apostolik i Vatikanit në Tokën e Shenjtë u lut për njerëzit që po vuajnë dhe humbasin jetën nga koronavirusi.
“Po kremtojmë të Premten e Mirë, përkujtimin e vdekjes së Jezusit, në rrethana shumë të vështira”, u shpreh kryepeshkopi Pierbattista Pizzaballa.
Kryepeshkopi foli nga kisha e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, që njihet si vendi i kryqëzimit, varrosjes dhe ringjalljes së Jezusit. Ky vend historik ishte mbyllur për publikun nga autoritetet izraelite javë më parë, por u hap me rastin e së “Premtes së Mirë”, posaçërisht për lutjet dhe shërbesën e pak klerikëve që ishin të pranishëm.
Situatë surreale edhe në Koloseun e lashtë të Romës. Çdo vit aty mblidhen dhjetëra mijëra besimtarë për të marrë pjesë në celebrimet për të “Premten e Mirë”, me Papa Françeskun që udhëheq katolikët në Rrugën e Kryqit përreth amfiteatrit romak.
Por këtë herë çdo gjë është ndryshe për shkak të pandemisë. Rrugët përreth Koloseut do të jenë të boshatisura, ndërsa Ati i Shenjtë nuk do të jetë i pranishëm për ceremoninë fetare. Shërbesa e Papës do të mbahet me një ceremoni të vogël në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
“E premtja e Mirë” është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Jezu Krishtit dhe bën pjesë në të ashtëquajturën “Java e Zisë”, e cila është dhe java më e rëndësishme e kalendarit katolik dhe përmbyllet me festën e Pashkëve. (A2 Televizion)