
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka përfunduar në telashe teksa prokurorë zvicerane kanë nisur procedime ligjore kundrejt tij. Shkak është një takim i fshehtë që dyshohet se numri një i futbollit botëror ka bërë me Prokurorin e Përgjithshëm zviceran, Michael Lauber.
Lauber kërkoi të jepte dorëheqjen javën e kaluar pasi gjykata e akuzoi se kishte fshehur mbledhjen me Gianni Infantinon dhe kishte gënjyer inspektorët gjatë një investigimi për afera korruptive me FIFA. Të dy palët e mohojnë këtë akuzë.
Prokurori i Përgjithshëm zviceran ofroi dorëheqjen e tij pikërisht pas vendosjes së një prokurori special, Stefan Kellet, me detyrë zbulimin e aktiviteteve kriminale mes Infantinos dhe Lauber.
Indikacionet për sjellje kriminale si abuzim me detyrën publike, shkelje të sekretit zyrtar apo kundërvajtje ligjore në takimet e tyre ka shtuar dyshimet bën me dije autoriteti që mbikëqyr zyrën e prokurorit të Përgjithshëm.
Gianni Infantino u rizgjodh president i FIFA-s për një tjetër mandat në qershor të vitit 2019 ndërsa kandidoi i vetëm në zgjedhje. (A2 Televizion)