
“Synimi parësor është të mbrojmë shëndetin e tifozëve, drejtuesve dhe futbollistëve, ndaj mendoj se mund të rifillojmë të luajmë me stadiumet bosh dhe të çojmë sezonin deri në fund. Në këto momente të vështira, zhvillimi i ndeshjeve do të sillte sadopak kënaqësi për njerëzit, ndonëse do t’i shikonin vetëm nëpërmjet televizorit”.
Kështu është shprehur në një intervistë të dhënë së fundmi kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin, teksa ka folur për vijimin e këtij sezoni të ndërprerë të futbollit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ceferin theksoi më tej rëndësinë e mbylljes së kampionatit, pasi në të kundërt do të kishte pasoja ekonomike.
“Nëse nuk arrijmë të mbyllim sezonin, atëherë dëmet ekonomike për klubet do të jenë të paimagjinueshme, megjithatë presim ende lejen e autoriteteve për të zhvilluar ndeshjet pa tifozë. Sigurisht që ky nuk është një opsion shumë i mirë, por është më mirë sesa të ndalemi fare”, tha Ceferin. (A2 Televizion)