
Në vetëm 24 orë nga hapja e thirrjes së Skemës Kombëtare, rreth 740 fermerë kanë aplikuar për mbështetje nga veriu në jug. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca theksoi se kjo kërkesë ka kaluar parashikimet.
“Qasja juaj ndaj thirrjes së skemës mbështetëse të grurit, në 24 orët e para, ka qenë fantastike, duke kaluar parashikimet tona”.
Që në ditën e parë të thirrjes është vënë në angazhim rreth 20% e buxhetit.
“740 fermerë kanë aplikuar nga veriu në jug, për një sipërfaqe prodhimi prej 6550 hektarë, me një angazhim të buxhetit të vënë në dispozicion që në ditën e parë të thirrjes, prej 20%. Fieri, Korça, Shkodra, Vlora janë qarqet me aplikimet më të larta deri tani”, shkruan ministrja.
Deri më tani, rreth 35,000 fermerë kanë marrë financim nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në tetë muajt e parë. (A2 Televizion)