
Franca dhe Holanda janë dy vendet që kërkojnë marrveshje ekstradimi me shtetin shqiptar për shkak të numrit të madh të kriminalitetit.
Arben Braçe, i cili ka drejtuar prej shumë vitesh Drejtorinë e Ekstradimeve thotë se me këto dy shtete marrveshjet bilaterale janë inekzistente.
“Ka një kriminalitet në rritje në Evropën Perëndimore, nuk është shqetësim i kotë. Kemi për detyrë që ta godasim që këtu kriminalitetin, por edhe të rrisim efikasitetin e strukturave tona, instrumentat bilaterale në fushën penale”, shpjegon Braçe.
Shqetësimet për shtimin e kriminalitetit shqiptar nuk janë e vetmja gjë që vendet anëtare kanë bërë prezent pranë strukturave të larta europiane: “Duhet të bëjmë marrëveshje me shtetet që kanë shqetësime”.
Sot, krimi shqiptar është bërë edhe më kërcënues për vendet jashtë Europës: “Shqiptarët janë të përfshirë në krimin e organizuar edhe në vendet e Amerikës Latine, Azisë, ndoshta edhe të Afrikës. Jemi të papërgatitur për këto veprimtari jashtë kontinentit”.
Braçe thotë se shumë përfaqësues të politikës shqiptare fshehin aktivitetet e tyre kriminale falë mungesës së bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me vendet ku krimi shqiptar vepron me kartelet më të njohura të drogës: “Edhe politika ka informacion që ka njerëz me probleme, por i përdor këta njerëz që paratë e krimit t’i hedhë për blerjen e votave”. (A2 Televizion)