
“Nuk është asnjëherë një ngjarje e çdo niveli, në çdo sektor, dhe lëre më pastaj një ngjarje në sektorin e punëve të brendshme që ka edhe fatalitetet, pavarësisht përgjegjësisë direkte, ose jo, një arsye për të larë duart. Çdo ngjarje është një arsye për të menduar se si gjërat mund të bëhen më mirë në tërësi. Policia e shtetit mund ta bëjë më mirë punën, por nuk është vetëm policia ajo që garanton gjithçka dhe që kontrollon sjelljet e njerëzve, rrugëve apo në konfliktet mes tyre, që ndodhin në pak minuta dhe nuk ka polici në botë që mund t’i parandalojë. Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetje më të madhe sa i përket teknologjisë. Procesi ka nisur të diskutohet dhe të konceptohet dhe besoj se do të materializohet edhe më shpejt nga sa ishte parashikuar”.
Kështu u shpreh kryeministri Rama në konferencën për shtyp ku u pyet edhe për krimin dhe sigurinë në vend.
“Nuk e harroj dot që në këtë vend, para disa vitesh, ka pasur më shumë vrasje se sa ditët në vit, nga ana tjetër aksidentet kanë qenë dyfish. A është numri i aksidenteve sot i ulët? Jo nuk është. Në rrugë janë qindra-mijëra individë, të cilët kanë edhe ata detyrën e tyre. Jam shumë i shqetësuar se si ne duhet ta përmirësojmë më tej punën tonë, por që ngjarje që janë kulminante nga pikëpamja e viktimave apo mënyrës si ndodhin, të kthehen si arsye për ta parë Shqipërinë si një vend që ke frikë të dalësh në rrugë se të vrasin, është shumë e tepërt”, u shpreh Rama më tej.
Kryeministri theksoi se nuk ka një krizë në Policinë e Shtetit. “Kjo është e qartë për mua, bazuar në fakte, kontekst dhe në trende. Puna e policisë nuk hidhet dot poshtë për disa ngjarje tragjike. Mësimet për t’u nxjerrë kanë të bëjnë se çfarë duhet të bëjmë të gjithë, përfshirë edhe policinë”. (A2 Televizion)