
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka nxitur SPAK-un që të ndjekë penalisht ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm.
Kim thekson se këtu përfshihen ata që merren me blerjen e votës, frikësimin ose nxitjen e dhunës.
“Ne e nxisim SPAK-un të ndjekë penalisht ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe. Kjo përfshin ata që merren me blerjen e votës, intimidimin ose nxitjen e dhunës. SPAK po heton në mënyrë aktive për krimet e zgjedhjeve.”, shkruan kryediplomatja amerikane në Tëitter.
Më herët, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se në periudhën mars–prill 2021 janë paraqitur një numër i konsiderueshëm kallëzimesh nga subjekte politike, shtetas të ndryshëm dhe policia gjyqësore, në lidhje me veprat penale që kanë të bëjnë me “Korrupsionin aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionin pasiv në zgjedhje”.
Sipas SPAK, deri tani janë paraqitur 55 kallëzime nga të cilat 32 janë regjistruar si procedime penale, për të cilat vijon hetimi.
Prokuroria e Posaçme njofton se ka vlerësuar të gjithë këto raste me seriozitet dhe ka dhënë zgjidhje ligjore rast pas rasti, duke njoftuar njëkohësisht dhe subjektet që i kanë paraqitur. (A2 Televizion)