Kritikat e Gahler për qeverinë, reagon Meta: Zgjedhjet e 25 prillit do t'i japin fund injorimit të kushteve të integrimit

Nga A2 CNN
29 Janar 2021, 18:11 | Politikë
Kritikat e Gahler për qeverinë, reagon Meta: Zgjedhjet e 25 prillit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me kritikat që koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, drejtoi ndaj qeverisë shqiptare. Në një psotim në Facebook kreu i shtetit shprehet se vlerëson vëmendjen e partnerëve evropianë dhe i garanton që mbi 99% e popullit shqiptar, mezi e pret hapjen e negociatave. Për Metën zgjedhjet e 25 prillit  do t'i japin fund injorimit të kushteve dhe plotësimit të standardeve për integrimin.

“E përshëndes vëmendjen e pandërprerë të Partive Popullore Europiane dhe thirrjet e përsëritura të miqve të sinqertë europianë, të cilët mezi presin çeljen e negociatave për Shqipërinë. I garantoj se mbi 99% e popullit shqiptar, mezi e pret hapjen e negociatave dhe se zgjedhjet e 25 prillit 2021 do t'i japin fund injorimit të kushteve dhe plotësimit të standardeve për integrimin, duke e rivendosur vendin, plot energji të reja, drejt Bashkimit Europian”, shkruan Meta.

Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, kritikoi qeverinë shqiptare duke thënë se marrëveshja e 5 qershorit është shkelur, ndërkohë që nuk ka progres në shumë kushte. Përmes një postimi në Facebook, Gahler përmendi një sërë problematikash duke nisur nga ligji për mediat, zyrtarët e përfshirë në manipulimin e votave që i kanë shpëtuar ndjekjes penale, pastrimi i parave dhe vonesën në ngritjen e institucioneve të reja të gjyqësorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos