
Organizata Transparency International bëri publik raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë. Shqipëria u vlerësua me 36 pikë në një sistem llogaritjeje të indeksit, ku 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni dhe zero, korrupsioni më i lartë.
Në “Absolut 4”, analisti Lutfi Dervishi u shpreh se “raporti ishte i pritshëm”.
“Është një indeks perceptimi i biznesit. Edhe në raportin e BE-së për vendin tonë përmendet shumë fjala “korrupsion” dhe “antikorrupsion”. Drejtësia në Shqipëri është në tranzicion dhe nëse nuk ke gjykatë, as nuk flet dot për korrupsion”, deklaroi Dervishi.
Analisti i A2, Afrim Krasniqi nënvizoi: “Në mandatin e parë ke vullnet për ndryshime, ndërsa në mandatin e dytë të duket pushteti pronë private dhe mendon se nuk ke pse jep llogari. Ky është korrupsioni, jo sanitarja që merr para’ në xhep. Kontratat bëhen në mënyrë të mbyllur dhe qeveria i kalon automatikisht. Firmat krijohen sot dhe marrin tendera të mëdha pas 3 muajsh. Rama ka thënë që do të ndryshojë sistemin në fillim, ndërsa para disa ditësh theksoi se sistemi ynë korrupton edhe gjermanët”.
Sipas Gjergji Vurmos, “korrupsioni është thembra e Akilit e të gjitha proceseve reformuese në Shqipëri”.
“Indeksi i TI është mjaft domethënës. Para disa javësh, nxori edhe një raport tjetër në lidhje me kapjen e shtetit dhe gjëja më skandaloze për vendin tonë ishin ligjet e ashtuquajtura me porosi”, u shpreh Vurmo. (A2 Televizion)