
Kryeministri Edi Rama, pasi prezantoi paketën e re ligjore anti-KÇK, reagoi dhe për kritikat e opozitës saj të cilat e konsiderojnë atë një strukturë paralele ndaj SPAK dhe BKH.
“Operacioni Forca e Ligjit (OFL) as nuk dublon, as nuk pengon, as nuk anashkalon institucionet që po lindin nga Reforma në Drejtësi, po është komplementar me to dhe do t’i bëjë një shërbim të madh shoqërisë, në këtë fazë tranzitore të sistemit të drejtësisë”, shkruan kryeministri Edi Rama në Twitter.
Më tej kreu i qeverisë shton se nuk trembet nga kritikat dhe reagimet pasi kjo paketë është formula më agresive kundër krimit të organizuar.
“Pres shumë më tepër reagime idiotike ndaj paketës më agresive ligjore, që një qeveri ka formuluar ndonjëherë në këta 30 vjet, kundër krimit të organizuar dhe aleatëve të tij në sistemin e vjetër e të korruptuar të drejtësisë”, përfundon Rama. (A2 Televizion)