
Ish-Princi i Kurorës së Jordanisë, Hamzah bin Hussein, është lënë nën arrest shtëpiak, për shkak të kritikave të tij publike ndaj të vëllait, Mbretit Abdullah, të cilin e akuzon për korrupsion dhe paaftësi për të drejtuar.
Akuzat vijnë pas arrestimit të zyrtarëve të lartë në vend, të cilët, sipas Princit, po organizonin një grusht shteti. Ushtria jordaneze fillimisht e mohoi lajmin e publikuar për arrestimin e Princit, por më vonë njoftoi se arrestimi u urdhërua për të ndaluar veprimet e tij, që mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e Jordanisë.
Princi Hamza Bin Hussein u arrestua fill pasi takoi liderët e arrestuar, mes të cilëve, sipas mediave vendase, ai ka gjetur mbështetje. Por, nga arresti shtëpiak, Princi mohoi çdo akuzë për komplot të rrëzimit të Mbretit përmes një grushti shteti, duke akuzuar vëllain e tij se po shtyp lirinë e fjalës dhe shprehjes, duke arrestuar e kërcënuar këdo që tenton të flasë për dështimet e tij.
Ndërkaq, liderët rajonalë, mes tyre Egjipti dhe Arabia Saudite shprehën hapur mbështetjen për Mbretin Abdullah. Edhe Shtetet e Bashkuara, aleatë me Jordaninë në fushatën kundër Shtetit Islamik, e përshkroi monrakinë si një partner kyç dhe tha se gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-së. (A2 Televizion)