
Jeremy Corbyn kërkon të rrëzojë me votëbesim kryeministrin aktual të Britanisë së Madhe, Boris Jonson për të penguar një Brexit pa marrëveshje. Në një letër drejtuar krerëve të partive opozitare dhe disa deputetëve me influencë në radhët e konservatorëve, ai kërkon mbështetje për një qeveri të përkohshme, e cila do të drejtohej prej tij.
“Ne do të paraqesim një mocion votëbesimi kundër qeverisë për të ndalur divorcin pa ujdi. Kryeministri duket i dëshpëruar për ta nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian më 31 tetor pa një marrëveshje”, u shpreh Corbyn.
Misioni i qeverisë do të ishte organizimi i menjëhershëm i zgjedhjeve të parakohshme dhe një referendum i dytë për daljen nga Bashkimit Europian. Sipas tij nga vota “Jo” e britanikëve në vitin 2016, nuk lexohet ndonjë mandat për dalje pa marrëveshje. Reagimet ishin të ndara. Kryetarja e liberaldemokratëve britanikë, Jo Swinson, e quajti të pakuptimtë propozimin e Jeremy Corbyn.
“Ne po përballemi me një krizë kombëtare. Mund të kemi nevojë për një qeveri emergjence, por Jeremy Corbyn nuk mund ta drejtojë atë. Nuk ka asnjë mundësi që ai të bashkojë konservatorët rebelë dhe të pavarurit për të ndalur Johnson”, tha Jo Swinson.
Të Gjelbrit e përshëndetën propozimin, por kërkuan një referendum para zgjedhjeve të reja. Nëse vërtet votëbesimi shkon në parlament dhe rezulton i suksesshëm, atëherë kreu i mandatuar i qeverisë ka dy javë kohë të krijojë një qeveri të re. Nëse kjo nuk ndodh, automatikisht kalohet në zgjedhje të parakohshme. (A2 Televizion)