Asnjë e shtënë arme, asnjë i plagosur, rusët i dorëzohen robotëve dhe dronëve ukrainas

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 18:39 | Bota

Një moment historik është shënuar në frontin lindor të Ukrainës, ku një grup ushtarësh rusë u dorëzuan për herë të parë pa u përballur me asnjë ushtar ukrainas, por vetëm me dronë dhe robotë tokësorë. Ngjarja ndodhi më 8 ose 9 korrik në rajonin e Kharkivit dhe u organizua nga Brigada e Tretë Sulmuese e Ukrainës.

Pamjet filmike tregojnë sesi dronët FPV dhe dronët kamikazë tokësorë sulmuan fillimisht një bunker rus, duke krijuar panik tek trupat e fshehur brenda. Për të shmangur një sulm të dytë, ushtarët dolën jashtë duke mbajtur një tabelë kartoni me mbishkrimin “Duam të dorëzohemi”. Një dron ajror më pas i drejtoi rusët në linjat ukrainase, ku u kapën rob pa asnjë rezistencë, shkruan A2 CNN.

Ky operacion u realizua pa asnjë shkëmbim zjarri nga ana e forcave ukrainase dhe pa asnjë viktimë në radhët e tyre. Zonë që më parë ishte e pamundur të merrej me trupa tokësore, tani u rikthye nën kontrollin ukrainas vetëm falë fuqisë teknologjike.

Kombinimi i dronëve ajrorë dhe mjeteve tokësore pa pilot po rezulton strategji gjithnjë e më efektive në luftën kundër forcave ruse. Dronët ajrorë janë të pazëvendësueshëm për zbulim dhe goditje të sakta, ndërsa robotët tokësorë mund të transportojnë sasi më të mëdha eksplozivi për të asgjësuar objektiva të fortifikuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos