“Më bëri përshtypje Tare”: Luka Modriç zbulon pse zgjodhi Milanin

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 18:37 | Futboll

“Më bëri përshtypje Tare”: Luka Modriç zbulon

Luka Modriç është zyrtarisht një nga përforcimet më të bujshme të Milanit në këtë merkato vere. Mesfushori legjendar kroat, duke folur për herë të parë si lojtar i kuqezinjve, ka zbuluar se një nga arsyet kryesore që e bindi të firmoste me Milanin ishte pikërisht drejtori sportiv Igli Tare.

“Më bëri shumë përshtypje fakti që Igli Tare erdhi personalisht në Kroaci për të më prezantuar projektin e Milanit. Më tregoi qartë sa shumë dëshironte që unë të bëhesha pjesë e këtij klubi. Ky përkushtim më bindi dhe më dha besim,” u shpreh Modriç.

Pavarësisht se kishte oferta të tjera në tavolinë, kroati thekson se nuk kishte dyshime në momentin që erdhi telefonata nga Milani:
“Dëshiroja të qëndroja në Europë për të luajtur futboll konkurrues. Kisha opsione të ndryshme, por sapo më kontaktuan nga Milani, për mua gjithçka u bë e qartë. E doja këtë klub që në minutën e parë.”

Modriç e cilëson Milanin si një nga klubet më të mëdha në histori dhe thekson se nuk vjen për të qëndruar në vend, por për të fituar:
“Milani nuk kënaqet me mediokritetin. Është klub që synon tituj, sukses, garë me më të mirët në botë. Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu.”

Në fund, ai ndalet edhe te Serie A, një kampionat që e ka ndjekur nga afër për vite me radhë:
“Është një kampionat shumë i fortë, taktik dhe fizik. Ka shumë lojtarë kroatë që luajnë këtu, shokë të mi nga përfaqësuesja. Do të jetë një sfidë e bukur dhe mezi pres ta nis këtë aventurë.”

Me ardhjen e Modriç, Milani tregon qartë ambicien për t’u rikthyer në majat e futbollit europian, ndërsa tifozët kuqezinj kanë arsye të forta për të qenë entuziastë për sezonin e ri.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos