Endri Shabani: Adriatik Lapaj, ti s'je burrë, e drodhe, kërcënove fëmijët e Zeqirit

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 18:47 | Politikë

Endri Shabani: Adriatik Lapaj, ti s'je burrë, e drodhe,

Vijojnë përplasjet në rrjetet sociale mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin e vetëm që mori koalicioni Shqipëria Bëhet.

Në një postim të fundit, Shabani ngre akuza të rënda ndaj Lapajt duke shkuar deri aty sa thotë se nuk është burrë, e ka dredhur dhe ka kërcënuar fëmijët e Zeqir Kordhonit.

“Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.

Gjithësesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra”.

“Tiku mund të jetë mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, ai nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!

Në këto zgjedhje për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13500 vota.  Adriatiku ka marrë 6436 vota. Kështuqë, ato 7000 votat e tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.

Pra nëse nuk do ishim në koalicion, Shqipëria Bëhet do ishte jashtë Parlamentit. Kështuqë në vend që të më sulmojë Tiku duhet të më falenderojë”.

Më tej ai shkruan: “Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë”. “Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit. 

Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatik Lapaj është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.

Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij”.

Në fund, Shabani shkruan se nëse Lapaj nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, pse ai duhet të mbajë përgjegjësi për dajën.

“Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale. Dhe në fakt, si njeriu që firmosi listat, dhe që i vonoi dëri në 12 të natës, Tiku ka përgjegjësinë totale që gabimisht e futi Zeqirin në listë të mbyllur, duke e zëvendësuar me Majlina Zikon. Tani më kërkon mua përgjegjësi për një çorbë që e gatoi vetë!

Zeqiri është 60 vjeç burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, por as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e tij, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, reagoi. Ndërkohë që unë përpiqesha të qetësoja situatën, Tiku zgjodhi rrugën e presionit. Dhe kur Zeqiri u përball me kërcenime ndaj fëmijëve të tij, vendosi të mos kthehej mbrapsh.

Të jem i sinqertë, unë nuk kam qënë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët nuk di çfarë të them.

Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet. Po luftojmë që politika të ketë një tjetër fytyrë: të ndershmërisë dhe fjalës së mbajtur. Dhe kjo betejë nuk do të ndalet nga ata që duan të kapin karrige, por do të fitohet nga ata që mbajnë fjalën edhe kur karrigia u kalon pranë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos