
Eksperti i ekonomisë, Bardhi Sejdarasi, i ftuar në A2 Business Week, u shpreh se fondi i BE për rimëkëmbjen e ekonomisë Shqiptare prej 280 milionë eurosh nuk është ndonjë shumë që mund të zgjidhë problemet e mëdha. Ai thekson megjithatë se është një stimul, por duhen parë kushtet me të cilat do të disbursohet.
“Nuk është ndonjë shumë që zgjidh ndonjë problem, sidomos problemet e mëdha që ka Shqipëria, e cila është përballur me dy ngjarje të rënda, tërmeti dhe pandemia. Megjithatë, është një potencial dhe një mundësi e mirë. Ky është një stimul, por duhet parë mënyra dhe kushtet që do të disbursohet kjo shumë”.
Sejdarasi shprehet se një problem i madh i Shqipërisë është mungesa e një studimi që do të sillte dëmet që ka pësuar ekonomia shqiptare.
“Ne kemi një problem të madh, i cili nuk është vetëm i qeverisë, por edhe i ekspertëve. Nuk kemi një studim që të tregojë dëmet që ka pasur ekonomia shqiptare nga pandemia. Cilat janë sektorët e dëmtuar, ata që kanë nevojë të ringrihen? Asnjëri prej nesh nuk e di se ku duhet të shkojnë këto para”.
Për ekspertin e ekonomisë, qeveria po synon të përdorë fondet që vijnë për të realizuar planin e saj të investimeve publike.
“Qeveria nuk është se ka pasur të specifikuar ndonjë shpenzim të planifikuar, janë shpenzime në buxhetin afatmesëm, të cilat realisht po vijojnë të zbatohen duke qenë se ka pasur mungesë në të ardhura, qeveria po synon të përdorë fondet që vijnë, donacionet, grantet apo edhe kreditë, për të realizuar planin e saj të investimeve publike që janë të nevojshme”, tha eksperti i ekonomisë, i cili thekson se nuk ka një plan emergjence për të shpëtuar ekonominë. (A2 Televizion)