Si ndikoi pandemia te prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve?

Nga A2 CNN
21 Korrik 2020, 17:52 | Ekonomi
Si ndikoi pandemia te prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve?

2020-ta duhej të ishte viti i rimëkëmbjes së industrisë së fasonit në Shqipëri. Pas një goditjeje të fortë me rënien e euros që fshiu thuajse tërësisht marzhin e fitimit, kursi kishte nisur të stabilizohej. Ndërsa kompanitë shqiptare po negocionin për kontrata më të favorshme me klientët e tyre.

Më nisjen e pandemisë në Kinë, fillimisht zinxhiri i furnizimit hasi disa pengesa, ndërsa gjithçka u ndal me shpërthimin e Covid-19 në Itali, që paralizoi tërësisht partnerin kryesor tregtar të vendit.

9 mars 2020, rasti i parë me koronavirus konfirmohet edhe në Shqipëri. Në atë moment, fasonët u vunë përballë dy alternativave: të vijonin punën duke rrezikuar shndërrimin në vatra infektimi ose të ndalnin gjithçka. Në fakt të dyja ndodhën: një pjesë e kompanive që kishin ende porosi vijuan punën nën kushtet strikte të sigurisë shëndetësore, e disa si në rastin e Krujës u bënë epiqendrat e virusit në vend; ndërsa ndërmarrje të tjera mbyllën dyert duke nxjerrë mijëra punëtorë në rrugë.

Me rihapjen graduale të ekonomisë, fasonët u detyruan të ndryshojnë tërësisht linjat e tyre të prodhimit, duke mos prodhuar më veshje për industrinë e modës, por maska dhe veshje mbrojtëse për t’u mbrojtur nga virusi. Një transformim që kushtoi mbi 1.7 milionë euro, por që mundësoi rikthimin në punë me kapacitet 78%.

Sot shifrat e gjysmës së parë të vitit flasin për një rënie të ndjeshme të eksporteve, në 49.3 miliardë lekë dhe një projeksion për rënie 20-30% deri në fund të vitit. Një goditje e rëndë për industrinë që punëson 13% të forcës punëtore në sektorin privat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos