
Goditja nga pandemia do të materializohet në ekonominë shqiptare me një recesion të fortë dhe një rimëkëmbje të ngadaltë.
Ekonomisti Adrian Civici analizon skenarët me të cilët do të përballemi në vijim, që do të përcaktojnë se kur mund të kthehemi në normalitet.
“Ekonomia shqiptare është një ekonomi relativisht e dobët, jo shumë dinamike, me nivel të ulët produktiviteti. Këto lloj ekonomish e kanë të vështirë të marrin kthesa të shpejta, aq më tepër në rritjen ekonomike. Skenari që duhet të përgatitemi është skenari “U”, i cili nuk është skenar automatik. Gjatësia e poshtme e kurbës varet nga gjatësia e politikave të rëndësishme ekonomike që ne duhet të bëjmë”, u shpreh Civici në A2 Business.
Civici vlerëson se qeveria duhet të reagojë menjëherë në mbështetje të bizneseve.
“Nuk po jepet as paketa e tretë për biznesin, por mungon edhe një plan specifik nga 6 muaj deri në 3 vjet. Humbjet nuk mund të mbulohen të gjitha nga ndërhyrja e qeverisë, por ndihma e qeverisë për disa sektorë duhet të jetë në nivelet që ato të mos falimentojnë”.
Masat e prezantuara deri më tani si heqja e taksave, sipas Civicit, do të japin efektet pas një kohe të gjatë. Ai propozon gjithashtu paketa për sektorë specifikë si turizmi, që zënë një peshë të madhe në ekonomi. (A2 Televizion)