
Shtetet fqinje të Bjellorusisë shprehën shqetësim se kriza e emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin drejt Bashkimit Europian mund të përshkallëzojë në një konfrontim ushtarak. Lituania, Estonia dhe Letonia dënuan atë që e quajtën sulm hibrid nga regjimi bjellorus, që po kërcënon rëndë sigurinë europiane.
“Minsku akuzohet se po i përdor emigrantët si armë, për t'u hakmarrë ndaj perëndimit. Kjo shton mundësinë e provokimeve dhe incidenteve serioze që mund të shtrihen edhe në fushën ushtarake”, thuhet në Deklaratën e përbashkët të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.
Emigrantët e bllokuar në kufirin bjellorus hodhën gurë dhe sende të tjera ndaj rojeve kufitare polake dhe përdoron trungje pemësh për të rrëzuar gardhin me tela e gjemba në një përpjekje të re për të hyrë në BE.
Brukseli njoftoi ndërmarrjen e sanksioneve të reja ndaj Bjellorusisë dhe akuzoi Minskun për një sulm hibrid ndaj bllokut duke inkurajuar mijëra emigrantë që duan t'u shpëtojnë konflikteve dhe varfërisë në vendet e tyre, të kalojnë kufirin drejt Polonisë.
Bjellorusia kërcënoi se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sanksioni, me ndihmën e Rusisë. “Fqinji ynë Polonia vijon me grumbullimin e paprecedentë të trupave pranë Republikës së Bjellorusisë. Jemi të detyruar të marrim masa në bashkëpunim me partnerin strategjik, Rusinë”, deklaroi gjenerali Oleg Voinov, kreu i bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar.
Sakaq kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, kërkoi ndërhyrjen e presidentit Vladimir Putin për zgjidhjen e krizës. Mbi 2 mijë refugjatë, shumica e të cilëve të rinj, por edhe gra e fëmijë, qëndrojnë prej ditën në kufi, duke sfiduar temperaturat e acarta dhe mungesën e ushqimeve. 7 vdekje janë raportuar deri më tani mes tyre. Presidenti bjellorus Lukashenko e cilësoi si katastrofike situatën në kufi, ku siç tha gjenden edhe gra shtatzëna. (A2 Televizion)