
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dha një intervistë për një televizion serb, mbrëmjen e së mërkurës, ku foli për situatën në veri të Kosovës, barrikadat, negociatat mes dy vende, por edhe për krijimin e asociacionit.
Zyrtari i lartë amerikan deklaroi se kriza në veri nuk duhet të militarizohet, duke përjashtuar kategorikisht mundësinë e lejimit të trupave serbe në këtë zonë.
“Nuk dua të hyj në hollësi të bisedimeve, por më duhet të them se ka elemente për optimizëm. Përveç kësaj dua të them se na duhet një zgjidhje jo vetëm për krizën aktuale, por na duhet zgjidhje e qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Duam ta shndërrojmë këtë krizë në mundësi jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për gjithë rajonin”, tha Escobar.
Më tej, Gabriel Escobar ritheksoi kërkesën për fillimin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Për Shtetet e Bashkuara është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Për ne është detyrim sepse e kemi përkrahur atë proces dhe një palë politike nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme, kështu që do të kërkojmë mënyra për ta bërë realitet”, përfundoi ai. (A2 Televizion)