
Dorëheqja e prezantuar nga kryeministri italian Giuseppe Conte tek Presidenti Sergio Mattarella, i dha fund eksperiencës 14-mujore të qeverisë së dy partive me prirje të kundërta.
Tani u takon forcave politike që të dërgojnë në presidencë propozimet e tyre për zgjidhjen e kësaj krize politike. Skenarët janë dy: ndërprerje të legjislaturës aktuale duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme ose krijimin e një qeverie të re.
Pas përplasjes së ashpër në Senat mes eksponentëve të ndryshëm politikë, nuk mund të përjashtohet asgjë.
Carmelo Rapisarda, kryeredaktor i “Agenzia Giornalistica Italia”, shprehet: “Zgjedhjet janë demokraci, kështu që nëse ne vendosim se dëshirojmë një qeveri tjetër dhe kjo qeveri të ketë fuqinë për të zhvilluar një politikë të fortë, kjo do të ishte mirë për vendin”.
Nga konsultimet, të cilat do të përmbyllen të enjten pasdite, do të dalë dhe qëndrimi zyrtar i partive politike, pra Mattarella do të vendosë një datë për zgjedhjet ose do të mandatojë një kryeministër të aftë për formimin e një ekzekutivi të ri. Që prej dorëheqjes së Contes përflitet shumë për një përafrim qëndrimesh mes Lëvizjes 5 Yjet të Luigi Di Maios me Partinë Demokratike të Nicola Zingarettit. Kjo është konfirmuar dhe nga ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili theksoi se nuk do të marrë asnjë pozicion drejtues në ekzekutivin e ri, nëse një i tillë krijohet.
Numrat janë në favor të tyre, pasi këto forca politike së bashku zotërojnë 159 vende në Senat nga 315 që janë gjithsej. Përveç numrave, Lëvizja 5 Yje duket se po përgatit terrenin për Di Maion kryeministër, pasi me një komunikatë theksojnë mbështetjen e plotë ndaj tij. Kjo pistë forcohet dhe më shumë nga qëndrimi i Legës së Matteo Salvinit. “Kush ikën nga zgjedhjet do ta ketë ndërgjegjën e pistë”, shkruan kjo forcë politike që ishte dhe nxitësja kryesore e krizës politike.
Ndërkohë, Mattarella duhet të lëvizë shumë shpejt në gjetjen e një zgjidhjeje, pasi koha nuk premton. Italia duhet të paraqesë një kandidaturë për Komisioner të Bashkimit Europian brenda 26 gushtit dhe në tetor duhet të dërgojë në Bruksel një projektligj për buxhetin e vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)