Tensione SHBA-Rusi, Pentagoni teston raketë me rreze të mesme

Nga A2 CNN
20 Gusht 2019, 16:06 | Bota
Tensione SHBA-Rusi, Pentagoni teston raketë me rreze të mesme

Testimi i një rakete me rreze të mesme veprimi nga Shtetet e Bashkuara, 2 javë pas tërheqjes nga traktati bërthamor, rikthen tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës. Pentagoni njoftoi se pas 500 km fluturim, raketa e hedhur nga bregdeti i Kalifornisë kishte arritur objektivin e saj.

“Raketa u hodh me sukses dhe arriti objektivin e saj pas më shumë se 500 km fluturim. Të dhënat e grumbulluara dhe mësimet e nxjerra nga ky test do të informojnë Departamentin e Mbrojtjes për potencialin e raketave me rreze të mesme”

Deklarata e Pentagonit

I menjëhershëm reagimi i Rusisë, që akuzoi Uashingtonin për përshkallëzim të tensioneve ushtarake.

“Shtetet e bashkuara po ndjekin rrugën e përshkallëzimit të tensioneve ushtarake. Ne nuk do të reagojmë ndaj provokimeve”

Ministria e Jashtme e Federatës Ruse

Njoftimi erdhi pak pas deklaratave të Presidentit rus Vladimir Putin gjatë konferencës së përbashkët me Emanuel Macron ku tha se Moska nuk do të testonte raketa me rreze të shkurtër e të mesme, nëse nuk do ta bënin Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump e tërhoqi vendin nga traktati i forcave bërthamore me rreze të mesme në 2 gusht, pasi e akuzoi Rusinë për shkelje të tij. Analistët druhen se dështimi i traktatit mund t’i hapë udhën një gare të re armësh mes Amerikës, Rusisë dhe Kinës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos