
Gjykata e Durrësit ka dhënë masat e sigurisë për 14 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Porositësit”.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Indrit dhe Gentian Beqirajn, si dhe për punonjësin e Policisë së Burgjeve, Flamur Bejko.
Për 10 të tjerë është caktuar masa e sigurisë “burg me afat për 45 ditë”. Ndërsa i lirë është lënë Fatjon Hajdari.
Goditja e grupit kriminal u bë dy ditë më parë, teksa u zbardhën një seri ngjarjesh të rënda kriminale, të ndodhura më parë.
Grupi i strukturuar kriminal prej 21 personash që kryente vrasje kundrejt pagesës u çmontua nga Policia e Durrësit, e cila vuri në pranga 14 prej tyre, mes të cilëve një polic burgjesh dhe majorin e ushtrisë shqiptare i identifikuar si Altin Çelami, i punësuar në repartin e Pezë-Helmësit dhe shpalli në kërkim 5 të tjerë.
Të implikuar në ngjarjet kriminale janë Kasandër Noga i arrestuar në Belgjikë dhe Ilirian Peçi i arrestuar në operacionin “Plumbi i artë”.
Në kuadër të veprimeve të thelluara të kryera në vijimësi, si dhe atyre të kryera gjatë ditëve të fundit, nisur edhe nga konflikti mes 2 vëllezërve Beqiraj me disa persona të tjerë, u bë e mundur zbardhja e disa ngjarjeve kriminale, si dhe qëllimi i konflikit të ndodhur më datë 02.10.2022, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, ku disa persona me automjete kanë goditur motomjetin e dy vellezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj dhe më pas kanë marrë me vete, njërin prej tyre, për disa minuta.
Po ashtu, u zbardhën edhe mjaft detaje nga vrasja e Don Boskos ndodhur më 4 janar të këtij viti.
Sipas policisë, porositësit për disa vrasje paguanin shuma nga 50 mijë deri në 150 mijë euro. (A2 Televizion)