
Shqipëria do të kryesojë për së dyti Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u shpreh se ky mandat e gjen vendin tonë më të pjekur dhe me më shumë eksperiencë për t’u angazhuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqen e sigurinë në botë.
“Shqipëria nis nesër Presidencën e saj të dytë të Këshillit të Sigurimit të OKB. Dua të ndaj me ju dhe me qytetarët një informacion shumë të rëndësishëm të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Kjo Presidencë shqiptare e Këshillit të Sigurimit vjen në një moment vërtetë të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash e konfliktesh shumë serioze, që nga Ukraina e deri tek kriza e pasigurisë së ushqimit si pasojë e luftës në Ukrainë dhe politikave që ndjek Rusia, që nga Jemeni, Sudani e Lindja e Mesme në tërësi, e deri tek kriza e pasiguria që mbizotëron sot në Sahel.”
Kryediplomatja shqiptare tregoi edhe agjendën e Këshillit të Sigurimit të cilat do t’i propozohen shteteve anëtareve.
Bëhet fjalë për një përpjekje ambicioze dhe shumë sfiduese për të garantuar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore.
“Bëhet fjalë pra, për të mbledhur së bashku, në një platformë inovative bashkëpunimi korporata e biznese të mëdha të cilat duan të japin kontributin e tyre humanitar, por kanë vështirësi për ta bërë këtë përmes mekanizmave einstrumenteve ekzistuese të sistemit të OKB e që për këtë arsye kanë zgjedhur të punojnë bashkë me ne për të ndërtuar një platformë të re.”
Në shtator Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama do të udhëtojnë drejt SHBA për të marrë pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe të Këshillit të Sigurimit. (A2 Televizion)