
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mori pjesë në forumin “Perspektivat për një të ardhme evropiane të Shqipërisë”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Akademia Politike, ku morën pjesë dhe përfaqësues politikë gjermanë, austriakë dhe ekspertë nga Shqipëria.
Në diskutim mori pjesë edhe kryetari i ri i CDU-së, Armin Laschet. “Jam shumë i gëzuar për arritjet qe janë realizuar ndërkohë që Shqipëria është në rrugën e saj drejt BE-së. Por ka mbetur ende shumë për të bërë dhe kjo çështje duhet të preket në të ardhmen me kurajo. Kritike mbetet tema e korrupsionit. Ajo mbetet ende e keqja kryesore dhe e pengon Shqipërinë në modernizimin e saj. Zhdukja e korrupsionit nuk duhet të bëhet për integrimin në BE, por për ta bërë vendin më të mirë dhe për ta bërë atë më të fuqishëm”, tha Laschet në fjalën e tij.
“Për sa i përket kritereve ekonomike mund të thuhet gjithashtu se Shqipëria ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm. Tema juaj është perspektiva evropiane e Shqipërisë. Ju duhet të diskutoni edhe mbi zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Një demokraci është vendimtare që edhe opozita të ndihet e përfaqësuar, që ajo të ketë të njëjtat shanse dhe është një detyre e rëndësishme për Shqipërinë që në prill të mos ngrihen dyshime për këtë gjë”. (A2 Televizion)