
Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, ka reaguar ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili dje, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, shprehej se “Ilir Meta ka punuar për shkatërrimin e fushatës së LSI-së dhe në përkrahje të kryeministrit Edi Rama”.
Me anë të një postimi në Facebook, Blushi deklaron: “Përsëri, Kryetari kukull, me porosi të padronit të tij, në shëtitjet mediatike të komisionuara, u përpoq të provokonte Presidentin e Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021. Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy Presidentit Meta, në Gjermani, për t'i anulluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerezit dhe se mund të kishte gjakderdhje.
Presidenti Meta, në vlerësim të interesit publik dhe për të shmangur çdo përplasje, mori një vendim shumë të vështirë, për shfuqizimin e datës dhe për t'i dhënë mundësinë opozitës të përfshihej në një datë tjetër. Por Hipokriti, që paska qenë në krah të Presidentit të Republikës, as nuk denjoi të regjistrojë PD në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, sepse kështu i interesonte Rilindjes, për t'i thënë botës, që Presidenti ia fut kot se PD nuk do zgjedhje”.
“Kryetari, kukull ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, deri në fund, dhe asnjë spërdredhje, pazar apo mashtrim nuk ja ndryshon dot fundin e paracaktuar si çdo kukulle në politikë”, shton Blushi në rrjetin social. (A2 Televizion)