
Hetimet për të zbuluar nëse Rusia ka gisht në shpërthimet që ndodhën përgjatë linjës së tubacionit të gazit “Nord Stream”, më 26 shtator 2022, kanë marrë një kthesë të pabesueshme.
Sipas një raporti të ri, hetuesit gjermanë që merren me rastin, kanë në dorë pista që mund të implikojnë Ukrainën me shpërthimet misterioze.
Dyshimet mbeten konkrete, pavarësisht aktivitetit të dyshimtë detar rus në zonë, vetëm disa ditë përpara shpërthimeve ende të pashpjegueshme në tubacionet që u ndërtuan për të transportuar gaz nga Rusia në Gjermani.
Shpërthimet e shtatorit të kaluar shkaktuan dëme të mëdha në tri nga katër tubacionet “Nord Stream”, të cilave iu deshën 15 vjet për t'u ndërtuar, duke shkëputur lidhjen kryesore energjetike midis Rusisë dhe Perëndimit.
Pavarësisht tri hetimeve të vazhdueshme që po kryhen nga Gjermania, Suedia dhe Danimarka, asnjë autor ende nuk është identifikuar.
Që nga shpërthimet e shtatorit, faji i është hedhur SHBA-së, Rusisë, shërbimeve sekrete ukrainase dhe një biznesmeni të paidentifikuar në Ukrainë, por të tria vendet e kanë mohuar me forcë përgjegjësinë.
Kohët e fundit, të gjithë sytë janë drejtuar drejt aktivitetit detar rus në Detin Baltik gjatë kohës së shpërthimeve.
Raportet në Danimarkë thanë se një anije ruse e shpëtimit SS-750 u fotografua në det, katër ditë para shpërthimeve. SS-750 ka mininëndetësen e vet, të quajtur AS-26, e cila mund të arrijë thellësinë 80 metra dhe të mbajë ngarkesa deri në 50 kg.
Megjithatë, disa kritikë vënë në dyshim se pse Vladimir Putin do të kishte interes të zvogëlonte fuqinë energjetike të Rusisë mbi Evropën duke hedhur në erë tubacionet jetike të gazit.
Në të kundërt, të tjerë pretendojnë se Rusia mund të ketë dashur t'i dërgojë një sinjal paralajmërues Perëndimit në lidhje me cenueshmërinë e tubacioneve të rëndësishme të gazit në det.
The Times raporton se Zyra Federale e Hetimit Kriminal (BKA) po heton tani pista të reja që mund të implikojnë Ukrainën dhe të nxjerrin të larë Rusinë nga kjo histori.
Në fakt, gazetarë investigativë nga Gjermania, Polonia, Suedia dhe Danimarka pohuan sot se BKA nuk ishte e bindur për ndonjë sabotim rus pasi kishte ekzaminuar tërësisht manovrat detare të Moskës rreth vendit të shpërthimeve.
Hetuesit gjermanë tani e kanë kthyer vëmendjen e tyre te “Andromeda” - një jaht i marrë me qira nga një kompani polake nga porti i Gjermanisë veriore të Rostock-ut, vetëm disa javë përpara se të ndodhnin shpërthimet.
“Andromeda” thuhet të jetë ankoruar në marinën e Christianso, një ishull i vogël danez në verilindje të Bornholm dhe në afërsi të vendit ku shpërthyen tri bomba, disa ditë para sulmit.
Jahti u gjet me gjurmë të eksplozivit të shkallës ushtarake dhe të dislokueshme nënujore.
Teoria sugjeron se pesë burra dhe gra mbërritën në Gjermani duke përdorur pasaporta false bullgare dhe rumune përpara se të përdornin jahtin si bazë për të vendosur zhytës të trajnuar që kanë instaluar bombat rreth 70 metra nën nivelin e detit.
Hetuesit gjermanë argumentojnë se sulmet mund të jenë organizuar me ndihmën e shërbimeve të sigurisë shtetërore dhe pretendojnë se kanë gjetur prova që mund të implikojnë Ukrainën, sipas gazetës Süddeutsche Zeitung. (A2 Televizion)