
Kthimi i dekretit të presidentit Bajram Begaj për dekoratat, me arsyetimin se ngushtohen kompetencat e kreut të shtetit, do të shqyrtohet në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla deklaroi se do të konsultohen me presidencën mbi rekomandimet dhe nëse gjenden çështje që duhen adresuar, do të pranohet dekreti i Begajt dhe do të bëhen ndryshimet në ligj.
“Dekreti i presidentit do të shqyrtohet me vëmendje nga ana jonë dhe do të konsultohemi me presidencën mbi ato gjetje e konstatime dhe për të adresuar një pjesë të rekomandimeve. Ky është presidenti normal. Fakti që presidenti sjell një sërë rekomandime është në të mirën e rekomandimeve check and balance. Nuk jam njohur me rekomandimet e sjella në dekret, por i kam kërkuar Bushkës që në mënyrë të menjëhershme të fillojmë konsultimet me presidentin. Nëse do të gjejmë çështje që duhen adresuar, pranohet dekreti dhe bëhen ndryshimet në ligj”.
Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit, Balla foli edhe amnistinë fiskale e cila sipas tij do të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar.
“Kuvendi i ka votat për të miratuar çdo ligj. Nuk është korrekte që të shprehen sot se deputetët e opozitës nuk e kanë lexuara ligjin për amnistinë fiskale, çdo deputete të votojë për atë që mendon dhe i bën mirë vendit. Ligji për amnistinë fiskale i bën mirë ekonomisë së vendit. Ligji për amnistinë nuk depozitohet me procedurë të përshpejtuar. Do të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar”.
Në lidhje me mbledhjen e parë të grupit socialist Balla tha se u diskutua performanca e gjithsecilit, në këtë vit elektoral. Sipas tij, PS-ja ka vetëm një aleat që janë njerëzit dhe forcimi i kësaj aleance është jetike për ta.
“Performanca e secilit prej deputetëve të Shqipërisë si në kuadrin e punës parlamentare dhe i prezencës së deputetëve në territor. Roli i deputetit është ndërlidhës mes komunitetit dhe vendimmarrjes. Në këtë aspekt i është kërkuar deputetëve prezencë më e shtuar në territor dhe kryeministri ka pasur një sërë kërkesash që i bëjnë mirë punës së anëtarëve të grupit socialist, po të kemi parasysh dhe kontekstin e ri politik në 2023 ku do të zhvillohen zgjedhjet vendore dhe PS-ja synon të vazhdojë të drejtojë në çdo bashki të vendit aty ku qeverisim aktualisht, por duhet të jetë vit i rëndësishëm komunikimi me njerëzit. Fakti është që PS-ja ka vetëm një aleat që janë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi dhe forcimi i kësaj aleance është jetike për ne. Në këtë aspekt, kjo seancë e parë lidhet me një lloj vlerësimi nominal për çdo deputet dhe pastaj me elemente të tjera të aktivitetit, pjesëmarrjes e prezencës dhe respektimit të votës politike në seancë plenare”. (A2 Televizion)