
Rikthehen trazirat në Hong Kong. Policia arrestoi atje rreth 300 persona dhe lëshoi sprej djegës për të shpërndarë protestuesit e shumtë.
Aktivistët pro demokracisë në Hong Kong kundërshtojnë ligjin e ri të Kinës për himnin kombëtar, pasi kush tregon mungesë respekti ndaj tij dënohet me gjobë mbi 5 000 dollarë dhe deri në 3 vite burg.
Zemërimi gjithnjë e në rritje i atribuohet dhe implementimit të ligjit për sigurinë kombëtare, për të cilin kundërshtarët theksojnë se do të kufizojë ndjeshëm liritë themelore.
Policia komentoi arrestimet e fundit duke thënë se veproi për të ndaluar grumbullimet e paautorizuara. Qeveria e Hong Kongut ka pranuar dy ligjet e Kinës dhe pretendon se nuk pakësojnë liritë e qytetarëve. Por, përpara se të hyjnë në fuqi, duhet të aprovohen nga Këshilli Legjislativ i territorit gjysmë autonom, ndërsa opozita dhe aktivistët pro demokracisë shprehen të palëkundur dhe se do të bëjnë gjithçka që munden për të ndaluar miratimin e tyre. (A2 Televizion)