
Dimri ka nisur dhe për banorët e qytetit verior të Kukësit. Shqetësimi i tyre më i madh është sigurimi i lëndës drusore për ngrohje. Situata në këtë periudhë paraqitet më e vështirë për shtresat e varfra dhe pensionistët, të cilët për shkak të të ardhurave financiare i kanë blerë vetëm pjesërisht sasinë e druve, ose nuk kanë mundur të blejnë.
Këtë vit, situata pandemike si dhe shpenzimet për ilaçe kanë rënduar më shumë gjendjen ekonomike të shtresave në nevojë.
“Drutë janë shumë shtrenjtë, rreth 35 mijë për metër kub. Jemi një nga vendet me të varfra në Shqipëri, heqim bukën e gojës për drutë, pensionet janë shumë të vogla”, pohojnë pensionistët kuksianë për A2.
Përgjatë viteve të fundit, çmimi i druve për ngrohje në Kukës ka pësuar rritje nga 35 në 40 mijë lekë të vjetra për metër katror dru. Në ish-zonën industriale ndodhet edhe pika e grumbullimit dhe shpërndarjes së druve të zjarrit me çmim me të arsyeshëm për qytetarët e Kukësit, por edhe këtu qytetarët e kanë të vështirë të blejnë. (A2 Televizion)