
Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një mesazh ngushëllues për ndarjen nga jeta të mjekut Drini Dobi, i cili nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin. Ai shpreh keqardhjen për çdo jetë të humbur nga virusi, por thekson se humbja e shpëtimtarëve dhe kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë.
Postimi i Ramës
Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar.
Eshtë e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij.
Rrofshin dhe e kujtofshin gjithmonë! (A2 Televizion)