Kukësi zhyt në krizë të thellë Partizanin, Tirana marshon drejt titullit me goaleadë

Nga A2 CNN
7 Qershor 2020, 18:54 | Futboll
Kukësi zhyt në krizë të thellë Partizanin, Tirana

Kampionët në fuqi të Partizanit, tashmë e shohin veten në zonën e “play-out”-it, pasi u mposhtën edhe nga Kukësi, me rezultatin 1-3, ndërsa Tirana marshon drejt titullit me një fitore të pastër, 0-5, në Gjirokastër.

Abazaj realizoi golin e parë për Kukësin në fundin e pjesës së parë, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, Boldor realizon një autogol në portën e Partizanit. Në minutën e 60, Ethemi vulosi suksesin e Kukësit, ndërsa Solomon shënoi golin e vetëm për Partizanin në humbjen e radhës.

Ndërkohë, Tirana nuk e pati aspak të vështirë të merrte 3 pikët e radhës edhe pse luajti në transfertë ndaj Luftëtarit. Bardheblutë arritën suksesin me goleadë, duke e vulosur rezultatin në 0-5. Në ndeshjet e tjera të kësaj të diele, Bylisi fitoi me një gol në fund ndaj Teutës, ndërsa Skënderbeu mposhti minimalisht në transfertë Flamurtarin. Ndërkohë, ndeshja mes Laçit dhe Vllaznisë u mbyll me rezultatin 5-2 në favor të vendasve.

Pas kësaj jave, Tirana kryeson e qetë me 59 pikë, ndërsa ndiqet nga Kukësi me 9 pikë më pak. Partizani tashmë ka përfunduar në zonën e “play-out”-it pas fitores së Bylisit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos