“Kundër diktaturës së koronavirusit”, protesta në Gjermani, dhjetëra të arrestuar

Nga A2 CNN
1 Gusht 2021, 21:34 | Bota

Me qindra protestues në Berlin sfiduan urdhrin e gjykatës të dielën për të protestuar kundër masave ndaj koronavirusit. Autoritetet policore në Berlin thanë në një deklaratë se rreth 2 mijë oficerë zbritën në terren për të ndalur organizimet, por u përleshën me protestuesit.

“Protestuesit u përpoqën të thyenin kordonin e policisë dhe nisën përplasjet me oficerët”, tha policia në një deklaratë. Forcat e policisë përdorën shkopinj gome ndaj protestuesve, shumë prej të cilëve u arrestuan.

Disa mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Liri” apo “Kundër diktaturës së koronavirusit”.

Në muajin maj, Gjermania lehtësoi kufizimet ndaj koronavirusit, duke lejuar edhe hapjen e restoranteve dhe bareve, por së fundmi qytetarëve nuk u lejohet të frekuentojnë këto ambiente nëse nuk kanë bërë vaksinën, nuk kanë kaluar koronavirusin ose të kenë një test të fundit negativ.

Ndërkohë, gjykata vendosi të mos lejojë grumbullimet e planifikuara në fundjavë për shkak të frikës se pjesëmarrësit do të thyenin rregullat për vendosjen e maskës apo të distancimit, në një kohë kur numri i infektimeve në Gjermani është sërish në rritje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos