
Vetëm pak orë pushim dhe më pas menjëherë në fushë. Botërori 2022 në Katar do të rikthehet me ndeshjet çerekfinale në datat 9 dhe 10 dhjetor.
Të premten e 9 dhjetorit, duelet nisin me përballjen ndërmjet Kroacisë dhe Brazilit. Në letër kjo duket ndeshja që ka më pak histori. Seleçao është ekipi që ka shkëlqyer në grupe dhe në fazën e 1/8 dhe favorite absolut për tu shpallur kampion bote.
Neymar do të ketë si kundërshtar Luka Modriç, një prej senatorëve të Kroacisë që duket në fundin e ciklit më të suksesshëm në histori. Fituesja e këtij çifti do të përballet me fituesen e ndeshjes Holandë-Argjentinë, që luajnë po të premten në mbrëmje.
Më 10 dhjetor, radhën për të zbritur në fushë e kanë Maroku me Portugalinë dhe super sfida ndërmjet Anglisë dhe Francës. Fituesit do të sigurojnë biletën për fazën gjysmëfinale, që do të luhet të mërkurën e 13 dhjetorit dhe të enjten më datë 14.
Në lojë është finalja e madhe e 18 dhjetorit, teksa edhe në këtë edicion, pak orë më parë do të luhet finalja e vogël për vendin e tretë. Modriç, Neymar, Messi, Cristiano Ronaldo, Kane e Mbappé janë të gjithë gati të luftojnë deri në fund për ëndrrën botërore. (A2 Televizion)