Kuqezinjtë U21 në kualifikueset e “Euro 2023”, Bushi: Brezi që po rritet premton, do të tentojmë me Anglinë

Nga A2 CNN
29 Mars 2022, 11:09 | Futboll
Kuqezinjtë U21 në kualifikueset e “Euro 2023”, Bushi:

Pas humbjes me Çekinë, kuqezinjtë e Alban Bushit zbresin këtë të martë në fushë për të zhvilluar ndeshjen kualifikuese ndaj Anglisë U-21, e vlefshme për Kampionatin Europian 2023.

Në prag të sfidës, Bushi u shpreh se edhe pse miqtë janë favoritë në letër, kombëtarja e Shpresave do të japë gjithçka për një rezultat pozitiv.

“Ekipi tashmë e ka një fizionomi loje, megjithëse kemi edhe mungesa edhe këtë radhë. Na mungojnë tre lojtarë nga ndeshja me Çekinë, kishim edhe përpara asaj ndeshjeje mungesa, por u shtuan akoma edhe më shumë. Muçi me tre kartona të verdhë, Ismajlgeci i dëmtuar me Çekinë dhe Kraja gjithashtu i dëmtuar. Nuk kemi shumë alternativa, por gjithsesi, lojtarët që do të aktivizohen, e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë, e dinë se çfarë kundërshtari kemi përballë, e dinë se pse nuk duhet të shkojmë aty ku ata kanë armët e tyre më të forta. Nuk duhet t’u lëmë shumë hapësira, nuk duhet të luftojmë 1 me 1 me ata sepse janë të fortë. Duhet të luajmë shpejt dhe me pasime të shkurtra, të shpejta dhe të shtyjmë sa më shumë 0-0, për t’ia bërë jetën sa më të vështirë anglezëve”, tha Bushi.

Pas 7 ndeshjeve, Shqipëria pozicionohet në vendin e katërt, me 9 pikë, po aq sa dhe Sllovenia, ndërsa grupin e kryeson Republika Çeke me 16 pikë, 3 më shumë se Anglia, por me këta të fundit që kanë 2 ndeshje më pak.

Dueli Shqipëri-Angli do të luhet sot, në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos