
Autoritetet kurdo-siriane kanë bërë me dije se kanë nisur përgatitjet për lirimin e 20 mijë civilëve, të afërm të luftëtarëve sirianë apo të ardhur nga zona të kontrolluara më parë nga ISIS, të cilët prej më shumë se dy vitesh mbahen të izoluar në kampin e Al-Hawl pranë kufirit me Irakun.
Ajo që na intereson më shumë nga ky lajm është se autoritetet në veri të Sirisë do të heqin dorë dhe nga mijëra shtetas të huaj që qëndrojnë të mbyllur në qytetin e çadrave.
“Shumë shpejt do të dalë një vendim për të zbrazur kampin nga sirianët. Ata që do të mbeten aty nuk do të jenë përgjegjësia jonë”, kështu deklaroi Elham Ahmat, presidentit i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Demokratik Sirian.
Aktualisht në kampin famëkeq të Al-Hawl-it jetojnë mbi 68 mijë persona duke përfshirë këtu shumë sirianë, irakianë, por edhe të huaj.
Kampi famëkeq u bë i njohur në Shqipëri falë reportazhit të Le Iene për të miturin shqiptar, Alvin Berisha, i cili pas shumë përpjekjesh të autoriteteve italiane u bë e mundur të nxirrej prej aty.
Gjithashtu A2 CNN dërgoi një ekip në Siri, të udhëhequr nga gazetari Julian Kasapi dhe operatori Endrit Myftari, prej nga ku solli dëshmitë rrëqethëse të shumë shqiptarëve të bllokuar në mes të askundit dhe që kërkonin ndihmën e shtetit për t’u kthyer në shtëpi.
Momentalisht në kampin e Al-Hawl, i cili është i përbërë nga shumicë grash dhe fëmijësh kushtet e jetesës janë shumë të vështira, ku mungon higjiena dhe uji në shumë raste. Edhe organizata Human Rights Watch ka ngritur shqetësimin në lidhje me mbipopullimin brenda tij në një kohë kur e gjithë bota kërcënohet dhe nga pandemia e koronavirusit.
Kohët e fundit janë shtuar dhe përpjekjet e rezidentëve për t’u larguar nga kampi pikërisht për këto kushte shumë të vështira jetese.
Në fjalimin e tij, mes të tjerash, presidenti Ahmed u shpreh se civilët sirianë që do të lirohen nga kampi do të përfitojnë dhe nga një amnisti e përgjithshme dhe asnjë padi nuk do të ngrihet ndaj tyre.
Pas këtyre zhvillimeve deri diku pozitive, është në pikëpyetje se çfarë do të ndodhë me shtetasit shqiptarë në këtë kamp duke qenë se tashmë ata nuk do të jenë më përgjegjësi e autoriteteve lokale siriano-kurde.
Pak ditë më parë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ishte në një vizitë në Liban, ku qëllimi i vizitës së tij ishte pikërisht çështja e riatdhesimit të shqiptarëve të bllokuar në kampin-qytetet të çadrave në Al-Hawl (A2 Televizion)