
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi ambasadorët e QUINT-it, pas marrëveshjes verbale me Serbinë në takimin e Ohrit. Pikërisht aneksi i pranuar për zbatimin e planit të Bashkimit Europian me 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ishin temë kryesore e diskutimeve, me shefin e qeverisë që mori vlerësime pozitive.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kërkoi nga Kurti që të punojë me Shtetet e Bashkuara për të zbatuar obligimet e ndërmarra, përfshirë asociacionin.
“Kemi një kërkesë të qëndrueshme ndaj kryeministrit që të punojë me ne për të përmbushur obligimet që ka marrë Kosova, për të zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është pjesë e gjithë këtij procesi, dhe sot me kryeministrin të gjithë biseduam me të për rëndësinë për të cilën ai u pajtua për të çuar përpara zbatimin si të marrëveshjes bazë, të gjithë elementëve të saj, ashtu edhe të aneksit të zbatimit”, tha Hovenier.
Këtë të enjte, kryeministri Kurti do të raportojë në kuvendin e Kosovës për takimin e 18 marsit në Ohër dhe çfarë pranoi në ujdinë verbale me Serbinë. Këtë e konfirmoi shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ndërsa foli edhe për asociacionin.
“Sa i përket asociacionit qëndrimi ka qenë i qartë në raport dhe në suaza të Republikës së Kosovës, ndërsa pa asnjë të drejt apo kompetencë e cila mund të jetë në kundërshti me Kushtetutën, rrethanat në të cilat jemi mungesa e shfrytëzimit nga komuniteti serb më shumë bëhet nga pengesat e vazhdueshme në Kosovë për arsye e qëllime tjera, sesa që bëhet në mungesë të legjislacionit”, tha Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkohë, lidhur me pajtimin e arritur në Ohër, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehu kundër, ndërsa Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës konfirmoi mbështetjen e tij. Presidentja Vjosa Osmani shprehu skepticizmin e saj për zbatimin nga Serbia duke thënë se nuk ka asnjë pritshmëri. (A2 Televizion)