
Për analistin Lutfi Dervishi, seanca e Kuvendit ku ishte parashikuar mocioni me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal ishte një fitore e opozitës e cila sipas tij pas shumë kohësh foli në një gjuhë.
Por pavarësisht kësaj, Dervishi shprehet se debati nuk solli asgjë të re, pasi mënyra sesi u trajtua në seancë, ishte ezauruar më herët në studiot televizive.
Dervishi e cilësoi këtë çështje si tepër të rëndësishme nga e cila nuk mund të shmangesh duke u fshehur.
“Fitorja është e opozitës. Ishte e bashkuar për këtë çështje dhe u bazua aty. Por nuk pati gjë të re sepse cdo gjë që ka qenë për të thënë për aktakuzën është thënë në studio. Ajo që pritej ishte si do të përgjigje kryeministri. Kjo gjë mungoi. Shumë deputetë ishin të distancuar nga ngjarja dhe flisnin për një realitet që nuk ekziston. Është një ngjarje e madhe që ka ndodhur dhe ndikon në marrëdhënie me shtetet e tjera. Shkruan mediat më të mëdha për këtë çështje. Kësaj nuk i ikën dot. Humbi debati thelbësor dhe këtu e kam për opozitën se u fokusua te McGonigal, por mungoi mjeti për shpjegimin e mekanizmit të korrupsionit”, tha Lutfi Dervishi. (A2 Televizion)