
Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, ka zhvendosur debatin e sotëm në kuvend për çështjen "McGonigal" në ngjarjet e 21 janarit në vitin 2011. Duke publikuar në seancë një audioregjistrim, Balla tha se komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, dha urdhër për të asgjësuar popullin opozitar në shesh sapo doli nga zyra e Berishës. Ai i kërkoi prokurorisë që të hetojë këtë çështje.
“Çështja McGonigal nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe kryeministrin, por ka vetëm një akuzë për Charless McGonigal. Ata që zbrazën sallën e frynë këtë çështje sapo në Shqipëri u publikua për herë të parë një audioregjistrim që zbardh kronologjinë e urdhërdhënies për vrasjen dhe masakrës shtetërore të 21 janarit. I bëj thirrje prokurorisë që ta hetojë këtë çështje. Komandanti i Gardës dha urdhër për zjarr ushtarak kundër civilëve të paarmatosur.
Ndrea Prendi: Nëse do të hyjnë brenda, do të hapet zjarr luftarak për t’i asgjësuar.
Ndrea Prendi: Mos qëlloni me luftarakë akoma, në ajër, në ajër. U kalua kufiri do të hapet zjarr luftarak. Të mbahen armët në dorë, gati për zjarr, pastaj kur t’ju them unë në trup... dhe vazhdon i gjithë ky audio regjistrim.
Zjarrin luftarak mund ta bësh në Afganistan. Prokuroria duhet ta kishte marrë nën hetim këtë çështje se vrasjet shtetërore të 21 janarit janë me zë dhe figurë”, deklaroi Balla.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla u ndal edhe në zgjedhjet e 14 majit dhe theksoi se mazhoranca do të marrë një rezultat të paimagjinueshëm dhe i bëri thirrje opozitës që të mos përsërisë gabimin e 2019-s.
“Fundi juaj dihet. Unë uroj që mesazhin e djeshëm të DASH, ta keni dëgjuar. Merrni pjesë në zgjedhje, mos bëni budallallëqet që bëtë në 2019, se po krijoni sërish alibinë për t’i ikur zgjedhjeve të 14 majit, por vini apo nuk vini ju, ju pret një rezultat që nuk e keni imagjinuar kurrë”. (A2 Televizion)