Kushtet për Asociacionin, BE ripërsërit thirrjen: Të themelohet sa më shpejt 

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2023, 17:36 | Kosova
Kushtet për Asociacionin, BE ripërsërit thirrjen: Të

Bashkimi Europian përsërit thirrjen që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE, Peter Stano nuk preferoi të komentonte kushtet e kryeministrit Kurti për themelimin e Asociacionit, por e vuri theksin tek nevoja urgjente e zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Kurti, i cili deri më tani e ka kundërshtuar fuqishëm Asociacionin, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushte për formimin e tij. Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë një etnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare.

Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiç tha se Kurti në fakt "nuk do ta formojë Asociacionin". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos