
Ndërkohë, opozita reagoi me kritika të forta ndaj 6 kushteve të kryeministrit Kurti për formimin e asociacionit.
Kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, kundërshtoi faktin që asociacioni po bëhet pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë, ndërsa deputeti i PDK, Abelart Tahiri, thumboi Kurtin që zgjodhi të fliste në të njëjtën kohë me Vuçiç.
Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Kurti paska aftësi për spektakël dhe humor, andaj e ftoj atë që të shkojë në spektaklin “Big Brother”.
“Kjo datë e sotme e 2 shkurtit 2023 është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës, nuk po them që është mirë a keq, mos më keqkuptoni. Unë po them që kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja e vitit 2013 që është tani obligim ndërkombëtar për Kosovën është e bëshme me disa kushte, por e bëshme është, dhe kushti thelbësor që besoj që jemi pajtuar të gjithë është që ky Asociacion të jetë në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, kjo ka qenë garancia gjithmonë. Tani kryeministri foli për një marrëveshje për një pikë, numër 10, që se dimë, sepse besoni ose jo tash e 6 muaj ky dialogun me Vuçiçin, por asnjëherë s’ka ardhur të raportojë në këtë Kuvend të Kosovës me deputetët shqiptarë dhe jo shqiptarë. Sepse kjo qasje e tij, jo vetëm që ka sjellë një ndryshim thelbësor të procesit të dialogut këto dy vjet, por tani po flasim për një marrëveshje që s’është as ligjërisht e obligueshme e nuk qartësohet interpretimi i saktë i njohjes në të.”
LUMIR ABDIXHIKU, KRYETAR I LDK
“Ky moment, kjo ditë duket të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, pra mes kryeministrit tonë dhe presidentit serb, Vuçiç, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment janë duke dhënë lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marrë kjo marrëveshje... Ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal, drastik, ndryshim jashtëzakonisht i madh i kryeministrit Kurti në diskursin e tij në drejtimin e vendit tonë.”
ABELARD TAHIRI, DEPUTET I PDK
“Ajo çka bëri sot zotëri Kurti ishte një spektakël dhe humor duke u tallur edhe me deputetët dhe qytetarët. Andaj zotëri Kurti duke pa që paske aftësi që me bo spektakël dhe humor ju kisha ftuar me shku në Big Brother”.
DEPUTETJA E AAK-SË, TIME KADRIJAJ (A2 Televizion)