
Bashkimi Europian i sugjeron Tiranës të thërrasë përsëri në ndihmë Komisionin e Venecias, këtë herë për të zgjidhur ngërçin e krijuar me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
“Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi”, tha zëdhënësja e Brukselit, Maja Koçijançiç, e cila në përgjigje të Euronews Albania i rikujtoi Presidentit Meta se mosrespektimi i afatit 30-ditor dhe zgjedhja përtej tre kandidatëve të parë sipas renditjes së KED-së, ngrejnë pikëpyetje mbi parimin e shtetit të së drejtës.
“Reforma në Drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor. […] Një interpretim që nuk i pranon këta element thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç parashikohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës”, shtoi Koçijançiç.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, e quajti shqetësuese situatën e krijuar: “Java e kaluar u shënua nga zhvillime të rëndësishme dhe zhvillime shqetësuese. Mirëpritëm anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese që u zgjodhën. Ky është një hap i rëndësishëm përpara dhe ne e mirëpritëm. Tani ne i bëjme apel të gjitha institucioneve shqiptare të përfshira që ta zgjidhin shpejt konfliktin mbi interpretimin dhe të sjellin qartësi mbi kompozimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Soreca i rikujtoi Tiranës se një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e rëndësishme për të hapur negociatat e anëtarësimit me unionin muajt e ardhshëm. (A2 Televizion)